Historiati

Emri “Kllo-kot” mendohet se rrjedh nga zhurmat e ujërave të Kllokotit në qarkullim, e të cilat ujëra janë shumë të njohura për vetitë dhe kualitetet e tyre shëruese.

Efektet shëruese të QMFR “Nëna Naile” Banja e Re në Kllokot i referohen burimeve të saja natyrale ujore respektivisht ujërave termomineral, temperatura natyrale e të cilave sillet prej 32°-36° Celsius, dhe gjithsesi peloidës së saj unike.

Kllokoti është vend i admiruar që nga kohërat e lashta. Historia e tij është mbuluar në mite dhe legjenda.

Sipas njërës nga to, Legjionarët Romak zbuluan kualitetet shëruese të ujërave termomineral në Kllokot fare rastësisht. Ata, duke kaluar nëpër Kllokot, ndeshen në një kalë të bardhë të dërmuar rëndë nga lufta i cili kishe mbetur në një moçal me ujë dhe baltë.

Pas një kohe të njëjtit ushtarë në rrugëtimin e tyre prapa, shohin kalin e shëruar dhe në gjendje shumë të mirë.

Legjionarët zbuluan se Kllokoti ishte i admiruar nga fiset Ilire, dhe se një numër i tyre ishte vendosur këtu për të jetuar përgjithmonë.

Vendasit dhe popullata e vendbanimeve të afërta këtë vend e kanë shfrytëzuar për qëllime mjekimi në mënyra të ndryshme që nga kohërat e lashta ilire. Ata kanë shuar etjen, kanë lyer trupin e tyre me baltë dhe gjithashtu e kanë shfrytëzuar për banjo shëruese.

Peloida në Kllokot është studiuar në mënyrë shkencore dhe është provuar se i plotëson të gjitha kriteret e nevojshme për përdorim mjekësor.

Ajo është një përzierje e ujit mineral me materje joorganike kimike që me veprimin e saj termik dhe kimik në lëkurë si dhe absorbimit të përbërësve kimike nëpërmjet lëkurës në tërë organizmin, ndikon në mënyrë gjeneruese dhe shëruese tek individi.

Peloida zakonisht aplikohet në mënyrë lokale duke larë apo mbështjellur pjesët e trupit si dhe aplikimi i gjithanshëm në formë të zhytjes së trupit të tërë.

Në varësi nga sëmundja dhe indikacionet e individit peloida së pari ngrohet, e pastaj pjesët e sëmura të trupit mbështjellen me të dhe ashtu të mbështjellura qëndrojnë prej 15 gjer në 20 minuta dhe në fund peloida largohet me ujë termomineral.