Banja Nena Naile, Kosovë - Kllokot
+383 44 666 006

Fizioterapia

Përveç terapive natyrale me ujë termomineral dhe peloidë, Spitali Special me Terapi Fizikale dhe Rehabilitim Banja Nëna Naile ofron edhe terapitë Fizikale.
Fizioterapia është shkenca e rehabilitimit. Fizioterapia është një profesion i kujdesit shëndetësor, i cili synon rivendosjen e lëvizjeve funksionale dhe rritjen e cilësisë së jetës për personat me dëmtime fizike, ose atyre me aftësi të kufizuara.
Fizioterapi përfshin vlerësimin, diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin e pacientëve në shumë specialitete: ortopedi-traumatologji, neurologji, reumatologji, pediatri, gjinekologji, kardiologji, pneumatologji, dëmtime sportive, etj….

Fizioterapia në Ortopedi
Fizioterapia merret me trajtimin e çrregullimeve dhe lëndimeve të sistemit muskulor dhe atij skeletik, duke përfshirë rehabilitimin post- kirurgjikal, ortopedik, torsionet, frakturat, dëmtimet sportive, si dhe amputimet. Trajtimi përfshin stërvitjen terapeutike, riedukimin neuromuskular, stimulimin elektrik të muskujve dhe ushtrime specifike.

Fizioterapia në Neurologji
Fizioterapia në neurologji është një fushë e fokusuar në punën me individë, të cilët
kanë çrregullime neurologjike. Këto përfshijnë:
• Dëmtimet cerebrale
• Paraliza të ndryshme
• Lëndimet e palcës kurrizore etj.
Këto janë dëmtime të vizionit, të ekuilibrit, të aktiviteteve jetësore të përditshme, të lëvizjeve, të forcës së muskujve dhe humbje e pavarësisë funksionale.

Fizioterapia në Reumatologji
Fizioterapia trajton pothuajse të gjitha sëmundjet reumatizmale, ku bëjnë pjesë:
• Dhimbjet e mesit
• Spondilo-artroza
• Artriti rheumatoid dhe shumë të tjera.

Fizioterapia në Pediatri
Fizioterapia në pediatri ndihmon në zbulimin e hershëm të problemeve shëndetësore tek fëmijët dhe përdor një shumëllojshmëri të gjerë të modaliteteve për trajtimin e çrregullimeve të lindura, ose të fituara të zhvillimit neuromuskular dhe skeletor.
Trajtimi përqendrohet në përmirësimin e aftësive motorrike, ekuilibrin dhe koordinimin, si dhe zhvillimin njohës e ndijor.

Fizioterapia në Geriatri (problemet e moshave të treta)
Fizioterapia ndihmon në mirëqenien e moshave të treta. Kjo moshë preket nga shumë sëmundje si artritet, osteoporoza, alzhaimer, parkinson etj., të cilat kërkojnë trajtim fizioterapeutik të domosdoshëm.
Fizioterapia trajton çrregullimet kardio-pulmonare, përfshirë:
• Atakun kardiak
• Post-kirurgjinë e koronareve
• Sëmundjet kronike obstruktive të mushkërive
• Fibrozat pulmonare.
Terapia manuale, që përdoret në këtë fushë bëhet për të ndihmuar në pastrimin e sekrecioneve të mushkërive.

Dëmtimet sportive
Roli i trajtimit fizioterapeutik në këtë fushë është shumë i nevojshëm. Trajtimi insiston në stërvitjen e tij me ushtrime speciale, rikthimin në gjendjen e mëparëshme të sportistit, për të parandaluar përsëritjen e dëmtimit.
Trajtimi fizioterapeutik bazohet mbi kërkimet shkencore dhe etikën mjekësore. Trajtimi udhëhiqet nga vlerësimi, bazuar në nevojat e pacientit, duke përdorur metoda teknike të ndryshme, që shërbejnë në përmirësimin e gjendjes. Përdoren teknika të trajtimit për të nxitur aftësinë dhe cilësinë e lëvizjes, për të ulur dhimbjen, për të rikthyer funksionin dhe për të parandaluar kufizimin e lëvizjeve. Punohet me programe të orientuara për mbarëvajtje shëndetësore dhe jetë aktive.
Duhet të ofrohen shërbime për të ruajtur dhe rivendosur aftësi funksionale dhe lëvizje maksimale.

Trajtimi terapeutik përfshin:
• Ushtrime të veçanta
• Terapi manuale
• Teknika të relaksimit
• Mobilizime
• Elektroterapi
• Këshilla të ndryshme.

Scroll to top Thirr Tani